Ka përfunduar në mënyrën më tragjike beteja e një 17-vjeçari shqiptar, i cili ishte plagosur rëndë në një aksident me motoçikletë në ishullin e Rodosit në Greqi.
I riu ndërroi jetë tetë muaj pas ngjarjes, pasi kaloi një periudhë të gjatë në spital dhe më pas në një qendër rehabilitimi, ku mjekët u përpoqën ta mbanin në jetë.
Deputeti grek Giogiakas në Kuvendin e PD: Ju sjell përshëndetjet nga kryeministri Mitsotakis, mbështetje PD për integrimin europian dhe reformat
Aksidenti ndodhi në fund të tetorit të vitit të kaluar, pranë një institucioni universitar në Rodos, kur dy motoçikleta u përplasën me forcë. Për shkak të përplasjes së rëndë, në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës, të cilat transportuan të plagosurit në spital.
17-vjeçari kishte pësuar dëmtime të rënda në kokë dhe që nga dita e aksidentit gjendja e tij ishte kritike. Ai qëndroi për rreth gjashtë muaj i shtruar në spital, ndërsa më pas u transferua në një qendër rehabilitimi në Larisa, ku vazhdoi trajtimin edhe për dy muaj të tjerë.
Familjarët nuk e humbën shpresën deri në momentin e fundit, por pavarësisht përkujdesjes së vazhdueshme dhe përpjekjeve të stafit mjekësor, i riu nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
Pas ndarjes nga jeta, trupi i 17-vjeçarit është transportuar në Shqipëri, ku do t’i jepet lamtumira e fundit pranë familjes dhe të afërmve të tij.




