Qytetari i dhunuar gjatë protestës në Zvërnec, Skënder Hita pezullon drejtorin e Policisë së Vlorës

Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra drejtorin e Policisë së Vlorës, Elidon Çela, pas protestës së qytetarëve kundër projektit në Zvërnec.

Sipas njoftimit për shtyp nga Policia e Shtetit, arsyeja e pezullimit vjen si pasojë e raportimit të gabuar lidhur me një nga protestuesit, të cilit i janë shkaktuar dëmtime në trup nga punonjësit e shoqërisë private.

Kështu, u proceduan penalisht dy punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, konkretisht shtetasit G. V., 41 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.

Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast“, njofton Policia e Shtetit.

Në njoftimin e bluve të Vlorës, u cilësua se protestuesi ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, gjë që u kundërshtua nga Policia e Shtetit.

Protesta në Zvërnec, reagon policia: Shoqërohen 17 protestues, dy roje private nën hetim për dhunë ndaj protestuesve
Gjithashtu, në reagimin e Policisë së Shtetit theksohet se territori i rrethuar është tërësisht pronë private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizim ligjor për rrethimin.

“Ndërsa lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, bëjmë me dije se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin.

Prandaj përfitojmë nga rasti që t’u drejtohemi edhe qytetarëve që protestojnë, duke nënvizuar se çdo pretendim mbi një pronë private apo zhvillimin e saj, adresohet në Gjykatë.

Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor“, njofton Policia e Shtetit.

Këtë të shtunë, është mbajtur një protestë nga qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm, të cilët kundërshtojnë ndërhyrjen në zonën pranë lagunës së Nartës, duke paralajmëruar pasoja të mundshme mjedisore.