Aksidenti me vdekje në Librazhd, arrestohet shoferi

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një këmbësoreje është regjistruar mbrëmjen e kësaj të mërkure në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas, në vendin e njohur si “Ura e Spatharit”.

Sipas informacioneve paraprake, Heidije Bajrami, 67 vjeçe, është përplasur nga një automjet tip “Toyota”, që drejtohej nga shtetasi Xh. O., 38 vjeç. Përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar të moshuarës plagë fatale.

67-vjeçarja është transportuar me urgjencë drejt spitalit bashkiak të Librazhdit, por fatkeqësisht nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Në lidhje me ngjarjen, Policia bëri me dije se specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

“Sot, rreth orës 19:45, në aksin rrugor ‘Librazhd-Prrenjas’, automjeti që drejtonte 38-vjeçari ka përplasur këmbësoren, shtetasen H. B., rreth 67 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, shtetasja H. B. ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.