TIRANË- Rreth 56 studentë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të drekës në ambientet e këtij institucioni. Mësohet se, menjëherë pas vaktit, studentët kanë shfaqur shqetësime serioze dhe disa prej tyre janë transportuar me urgjencë në spital.
Shkak i këtij incidenti masiv mendohet të jetë cilësia e ushqimit të shërbyer gjatë ditës. Dyshohet se janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar në drekë, pasi Akademia e Sigurisë ka një kontratë me një kompani private që ofron shërbimin katering për 3 vaktet për studentët.
Pas ngjarjes, institucionet përkatëse kanë nisur verifikimet në terren për të zbardhur rrethanat e plota. Hetimet po përqendrohen te analizat laboratorike të ushqimit për të përcaktuar përgjegjësinë e kompanisë kontraktore.
Njoftimi i Plotë:
Ditën e djeshme, më datë 06.05.2026, rreth 50 studentë të Akademisë së Policisë janë paraqitur në shërbimin e Urgjencës pranë Spitalit Infektiv në QSUT, të dyshuar për helmim nga ushqimi. Menjëherë pas paraqitjes së tyre, ekipet mjekësore kanë kryer vlerësimin dhe trajtimin e nevojshëm shëndetësor për çdo rast. Shërbimi Infektiv dhe Urgjenca Polivalente në QSUT dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore kanë kaluar menjëherë në gjendje gatishmërie pas marrjes së njoftimit, duke shtuar kapacitetet e stafit në shërbim dhe duke garantuar menjëherë stokun e nevojshëm të barnave. Po ashtu, të gjithë studentët janë vlerësuar përmes ekzaminimeve laboratorike me qëllim identifikimin e shkakut të helmimit. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, studentët janë larguar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.
AKU: Po bëhen verifikime
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në funksion të informimit publik dhe transparencës bën me dije se, nëpërmjet një komunikimi ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk ka marrë informacion për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë kësaj akademie.
Menjëherë nga AKU janë kryer verifikimet përkatëse në subjektin SORI-AL, subjekt i cili ushtron veprimtarinë e catering-ut pranë këtij institucioni, ushqim që vjen i gatshëm prodhuar në ambientet e garnizonit “Skërnderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura Tiranë.
Sipas kontrollit të ushtruar të ambientet e kuzhinës së vendosur brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, u konstatua se subjekti ushtron aktivitetin në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme.
Nga verifikimi në moment kontrolli rezulton që në këtë ambient nuk kryhet proces gatimi, produktet vinin të gatshme catering nga subjekti SORI-AL, prodhuar në ambientet e kuzhinës së “Garnizoni Skënderbej”, Tiranë.
Më konkretisht në moment kontrolli u konstatua pilaf, makarona, fasule, sallam dhe kos i hapur gati për shërbim, nga të cilat u bllokuan 85.9. kg produkt dhe u mor mostër për analizim mikrobiologjik, që u dërguan pranë laboratorit të ISUV.
Për mungesë të një sistemi funksional dhe të plotë gjurmimi ndaj subjektit u vendos masë administrative me gjobë në vlerën e 100 mijë lekëve.
Në vijim të ndjekjes së gjurmueshmërisë u krye kontroll edhe në ambientet e subjektit SORI-Al me adresë “Garnizoni Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, ku u konstatua se OBU nuk u gjet në proces pune pasi prodhimi kryhet në orare të caktuara.
Në subjekt nuk u konstatua produkt i gatshëm për konsum, pasi produktet e prodhuara shpërndahen menjëherë tek pikat kontraktuese.
Për qëllim të inspektimit në subjekt janë marrë mostra për produktet e konstatuara dhe më konkretisht djathë i bardhë lope, kos lope, vezë, sallam për analizim të ngarkesave mikrobiologjike të cilat u dërguan pranë laboratorit të ISUV.
U bllokua sasia gjendje prej 67.3 kg produkte,1350 kokrra vezë, dhe ndaj subjektit u vendos masa administrative me gjobë për mungesë të sistemit të plotë të gjurmueshmërisë në vlerën e 100 mijë lekëve.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë me ndjekjen hap pas hapi të gjithë procesit dhe marrjen e masave në vijim me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.













