Miratohet lista e barnave të rimbursuara nga FSDKSH dhe masa e mbulimit

Këshilli i Ministrave miratoi sot listën e barnave që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe të masës së mbulimit të çmimit të tyre.

Sipas vendimit, miratohet lista I e barnave të rimbursueshme, që tregtohen në farmacitë e spitaleve dhe lista II e barnave, që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Gjithashtu u miratua masa e mbulimit të çmimeve të barnave të rimbursueshme, të renditura sipas klasifikimit ATC, në masën 50% – 100%, sipas grupeve terapeutike dhe barnave.

Pjesë e vendimit është edhe miratimi i marzheve të tregtimit për barnat e listës së rimbursueshme, përkatësisht, në masën 8% për tregtimin me shumicë dhe 24% për tregtimin me pakicë si dhe miratimi i marzheve të diferencuara të tregtimit me shumicë dhe me pakicë për disa barna të listave I e II.

Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor që, në përputhje me legjislacionin në fuqi, të përcaktojë kufizimet në përdorim, në sasi dhe në kohëzgjatje të trajtimit me barnat e kësaj liste, bazuar në kritere ekonomike, mjekësore dhe sociale.

Po ashtu Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ngarkohet që në përputhje me legjislacionin në fuqi, të lidhë marrëveshje për reduktimin e çmimeve të përfshira në këtë listë me mbajtësit e autorizimit për tregtim.

Nëse gjatë periudhës, kur ky vendim është në fuqi, ulen çmimet për barnat e paregjistruara të listës ose barnat, alternativë e vetme, që tregtohen në farmacitë e spitalit dhe në farmacitë e rrjetit të hapur, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, me njoftim të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, reflekton uljen e çmimit të barit në listë. Pulla e kontrollit të barit do të lëshohet pas miratimit të çmimit nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Çmimet e aplikuara për hartimin e listave I e II të barnave të rimbursueshme bazohen mbi çmimet e rivlerësuara, të miratuara për vitin 2026, sipas përcaktimeve të vendimit “Për ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit të Çmimit të Barnave”, të ndryshuar.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ngarkohet që brenda muajit janar të çdo viti, të përditësojë listën e barnave të rimbursuara me çmimet dhe alternativat tregtare për principet aktive ekzistuese, bazuar në listën e përgjithshme me çmimet CIF/EXW, të miratuara brenda datës 31 dhjetor nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për vitin 2026.

Vendimi “Për miratimin e listës së barnave, që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe masën e mbulimit të çmimit të tyre”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.