Nga kamerat e policëve, te dronët dhe integrimi me kamerat aktuale, si do të funksionojë sistemi që e kthen Shqipërinë në “Big Brother”

Inteligjenca artificiale po zë vend përherë e më shumë në përditshmërinë tonë.

Edhe projekti Smart City, që do të realizohet nga kompania “PRISAJT Ej-AJ” nga Emiratet, ka pikërisht në thelb këtë teknologji.

PRISAJT është një kompani që duket se dëshiron të ndërtojë qytetet e së ardhmes, duke ofruar kontroll absolut në sigurinë e tyre dhe duke u bazuar te teknologjia Smart.

Kompania pretendon se roli i saj në kontrollin e pandemisë Covid-19 në Emiratet e Bashkuara ishte thelbësor. Po ashtu, edhe në mbarëvajtjen e organizimit gjigant Expo 2020 me 23 milionë vizitorë.

Edhe pse specifikat ende nuk janë publike, në dokumentin e prezantimit të projektit në Shqipëri nga vetë kompania, ka disa elementë që bëhen me dije.

Platforma e Presight është në gjendje që të vendosë ura të rëndësishme ndërmjet inteligjencës artificiale, informacioneve teknologjike dhe përpunimit teknologjik, në mënyrë që qytetet të bëhen më parashikuese, të japin një reagim më të shpejtë dhe të jenë më të sigurta.

Në nivel të përgjithshëm, jepen disa objektiva që synohen të përmbushen si: monitorimi dhe menaxhimi i operacioneve në nivel qyteti; optimizimi i përdorimit të burimeve në shkallë të gjerë; siguria publike dhe reagimi ndaj emergjencave; ndërgjegjësim në kohë reale për situatat në sektorë të ndryshëm; vendimmarrje proaktive dhe parashikuese; automatizim i proceseve operative dhe reagim ndaj ngjarjeve; koordinim mes institucioneve për shërbimet në terren etj.

“Është një projekt që ka parashikuar nga pika A në B të gjitha pikat e monitorimit, survejimit dhe shpërndarjes së informacionit tek ato burime që e kanë të nevojshëm informacionin e tillë për zbatimin e detyrave të tyre funksionale”, u shpreh Faik Basha, ekspert sigurie.

“Nuk do të thotë se një kamerë me AI është më e mirë se një kamerë tjetër. Kamerat me AI janë inteligjente, më të avancuara: pamje, regjistrimi, zëri dhe monitorimi i sjelljes. Përdoren terma trend, që nuk trembin, se nëse vendosim do të përdorim kamera më inteligjente për monitorim, do të krijonte panik te njerëzit”, u shpreh Edmond Licaj, ekspert IT.

Interesant është fakti që projekti pretendohet se mund të instalohet në shumë lloje kamerash, pra mund të vendoset në dronë, në kamera të trupit, siç është rasti i policisë, kamera termale, apo dhe IP (AJ-pi) kamera. Kjo do të thotë se kamerat e shtrira sot në terren mund të lidhen me sistemin e ri që ka aftësitë përpunuese të informacionit. Pra, thelbi është integrimi në një sistem.

Për teknologjinë IA (E-AJ) zakonisht përdoren kamera në 2MP HD, 4MP dhe 8MP ose, siç njihet ndryshe, 4K.

Ky fleksibilitet i jep institucioneve mundësinë të ndërtojnë sistemin sipas nevojave dhe buxhetit të tyre.

Për komunitetin e IT-së, Shqipëria nuk është gati për një platformë të tillë, nisur nga problemet e së shkuarës dhe rrjedhja e të dhënave personale.

“Shqipëria është në një gjendje që i duhet të ndërtojë një infrastrukturë digjitale për identitetin e saj. Numra të rinj identifikimi, pasaporta të reja, në mënyrë që të kemi një siguri të gjerë afatgjatë për 15-20-vjeçarin e ardhshëm. Të dhënat tona, përveç se janë vjedhur, janë fshirë, janë marrë, çfarë nuk është bërë me to prej vitit 2008 e sot dhe ne flasim se si tani këto të dhëna t’i marrim dhe t’i monitorojmë diku tjetër, t’u japim dhe këtyre shqiptarëve akses, prandaj unë besoj fort se ajo çfarë dimë dhe flasim është shumë pak në raport me atë çfarë fshihet”, u shpreh Edmond Licaj, ekspert IT.

“Nuk kemi asnjë humbje privatësie më shumë se sa e kemi. Megjithatë, me rritjen e rreziqeve duhet të lëshojmë pak edhe nga vetja jonë”, u shpreh Faik Basha, ekspert sigurie./TCH