TIRANË – Numri i maturantëve në Shqipëri vijon të shënojë rënie nga viti në vit, duke reflektuar ndikimin e drejtpërdrejtë të emigracionit dhe uljes së lindshmërisë në sistemin arsimor.
Sipas të dhënave zyrtare, këtë vit rreth 26,500 nxënës pritet t’i nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore, në krahasim me rreth 27,000 në vitin 2025 dhe afro 28,000 në vitin 2024.
Ekspertët e arsimit e lidhin këtë trend me tkurrjen e popullsisë së re, si pasojë e largimit të familjeve jashtë vendit dhe rënies së numrit të lindjeve, çka po reflektohet në mënyrë progresive në numrin e nxënësve në shkolla.
Provimet e Maturës Shtetërore do të nisin më 2 qershor me testin e gjuhës së huaj, për të vijuar më 9 qershor me gjuhën shqipe dhe letërsinë, më 16 qershor me matematikën dhe për t’u përmbyllur më 23 qershor me provimin me zgjedhje.
Autoritetet arsimore bëjnë me dije se janë marrë masa për zhvillimin korrekt të procesit, duke paralajmëruar se çdo shkelje e rregullores, përfshirë përdorimin e telefonave celularë gjatë provimeve, do të ndëshkohet me përjashtim të menjëhershëm.
Rënia e numrit të maturantëve konsiderohet një tregues i sfidave afatgjata demografike dhe sociale me të cilat përballet vendi.













